Kërkohet paraburgim për dy të arrestuarit në rastin e mbi gjysmë ton marihuane në Maqitevë të Suharekës

8 orë

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy personave të arrestuar, M.A. dhe B.A., të dyshuar për përfshirje në kultivimin dhe përpunimin e substancave narkotike në fshatin Maqitevë të Suharekës.

Rasti ndërlidhet me aksionin e zhvilluar më 16 shtator 2025 nga Prokuroria dhe Policia e Kosovës, në një shtallë në zonën malore të Maqitevës, ku ishin zbuluar dhe sekuestruar mbi gjysmë ton marihuanë.

Gjatë këtij operacioni ishin konfiskuar edhe një granatëhedhës (mortajë), një raketë krahu, një pushkë gjuetie, municion, një traktor me rimorkio, pajisje për kultivimin dhe përpunimin e narkotikëve, pajisje kompjuterike dhe prova të tjera materiale.

Po ashtu, Prokuroria kishte lëshuar urdhër të përkohshëm për sekuestrimin ose ngrirjen e dy parcelave në këtë fshat, me sipërfaqe prej 1,963 dhe 1,438 metrash katrorë.

Sipas Prokurorisë, M.A. dhe B.A. dyshohen se kanë vepruar në bashkëkryerje me F.N., me qëllim kultivimin e kanabisit dhe përgatitjen e substancave narkotike për shitje dhe shpërndarje në treg.

Përveç veprave penale që lidhen me narkotikët, të dy të arrestuarit dyshohen edhe për armëmbajtje pa leje.

Gjatë kontrollit të shtëpisë së M.A., më 26 tetor 2026, është sekuestruar një pushkë gjysmëautomatike me shtatë fishekë, ndërsa në shtëpinë e B.A., gjatë kontrollit të realizuar në shtator të vitit 2025, ishte sekuestruar një pushkë gjuetie njëtytëshe.

Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe vënien para drejtësisë të personave që bien ndesh me ligjin.