Urim Suka akuzon pushtetin komunal: Nuk e durojnë zërin tim, por nuk ka forcë që mund të më ndalë
Asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Suharekë, Urim Suka, ka reaguar pas seancës së djeshme të Kuvendit Komunal, duke akuzuar pushtetin lokal për papërgjegjësi, sulme verbale dhe përpjekje për ta penguar gjatë ushtrimit të detyrës së tij si përfaqësues i qytetarëve.
Asamblisti i LDK-së ka kritikuar gjithashtu mungesën e transmetimit të seancës, duke thënë se qytetarëve u është pamundësuar ndjekja e diskutimeve dhe shqetësimeve të ngritura në emër të tyre.
“Fatkeqësisht, ky pushtet komunal është i papërgjegjshëm pothuajse në secilin vendim që merr, ndërsa gjithë këtë papërgjegjësi përpiqet ta mbulojë me propagandë”, ka shkruar Suka.
Në fund të reagimit, ai ka theksuar se sulmet verbale dhe përpjekjet për ta penguar nuk do ta ndalin në përmbushjen e mandatit të tij.
“Ata nuk e durojnë dot zërin tim, sepse e dinë se çdo fjalë e imja është e vërtetë, e bazuar dhe gjithmonë e argumentuar me fakte konkrete.
Prandaj përpiqen të më pengojnë, por nuk do t’ia dalin, sepse nuk ka forcë që mund të më ndalë në përmbushjen e besimit që më kanë dhënë qytetarët”, ka përfunduar Suka.
