Rritet numri i nxënësve në shkollën shqipe në Brooklyn
Shkolla Shqipe “Alba Life”, Ambasador i Kombit, po shënon sukses të vazhdueshëm në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe në diasporë, me rritjen e numrit të nxënësve në Brooklyn, në një vit jubilar për 20-vjetorin e themelimit të këtij rrjeti shkollash shqipe.
“Alba Life”, i cilësuar si rrjeti më i madh i shkollave shqipe në diasporë, vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në edukimin e brezave të rinj shqiptarë, duke u mësuar fëmijëve jo vetëm leximin dhe shkrimin në gjuhën amtare, por edhe historinë, kulturën dhe identitetin kombëtar.
Një vlerësim i veçantë i është kushtuar mësueses Fatlinda Bajçinca Gashi, e cila është promovuar në detyrën e koordinatores për mësimdhënien. Rritja e vazhdueshme e klasës së saj vlerësohet si dëshmi e përkushtimit, profesionalizmit dhe punës së palodhur në shërbim të nxënësve dhe gjuhës shqipe.
Sukses po shënon edhe mësuesja e re Eriselda Hila, e cila iu bashkua shkollës në këtë vit akademik. Me përkushtimin dhe pasionin e saj, ajo po punon për t’ua përcjellë fëmijëve gjuhën shqipe dhe dashurinë për atdheun e trashëgiminë kulturore shqiptare.
Rritja e numrit të nxënësve dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit mes mësuesve dhe prindërve për ruajtjen e gjuhës amtare, veçanërisht te brezat që rriten larg vendlindjes së prindërve dhe gjyshërve të tyre.
Në këtë 20-vjetor, familja e madhe “Alba Life” shpreh mirënjohje për mësuesit, nxënësit dhe prindërit që kontribuojnë në këtë mision kombëtar, duke dëshmuar se gjuha shqipe vazhdon të jetojë dhe të përcillet brez pas brezi.
“Gjuha shqipe na bashkon! Gjuha shqipe është ashti i kombit!”
