Ylli synon fitoren e tretë radhazi, sot përballet me Vëllaznimin në Gjakovë

15 orë

Golden Eagle Ylli do të zbresë sot në parket për një tjetër përballje të rëndësishme në Superligën e Kosovës në basketboll. Therandasit do të jenë mysafirë të Vëllaznimit në kuadër të xhiros së pestë të kampionatit.

Ndeshja do të zhvillohet këtë të shtunë, më 17 tetor, me fillim nga ora 17:00, në palestrën sportive “Shani Nushi” në Gjakovë.Skuadra nga Suhareka udhëton drejt Gjakovës me moral të lartë, pas dy fitoreve të rëndësishme ndaj rivalëve të fortë të kampionatit. Fillimisht, Ylli mposhti Sigal Prishtinën me rezultat 88:82, ndërsa më pas regjistroi një tjetër paraqitje bindëse, duke triumfuar ndaj Pejës me rezultat 95:79.

Këto dy fitore kanë dëshmuar formën e mirë të therandasve, të cilët tashmë synojnë ta vazhdojnë serinë pozitive edhe në transfertën ndaj Vëllaznimit.

Pavarësisht se luan në udhëtim, Golden Eagle Ylli hyn në këtë përballje me synimin e qartë për të regjistruar fitoren e tretë radhazi dhe për të vazhduar ngjitjen në tabelën e Superligës.