Mbyllet një biznes ilegal në Zubin Potok, gjobë 6 mijë euro për shërbim të alkoolit të miturve

13.10.2026

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka ndërmarrë masa ndaj disa subjekteve ekonomike në Komunën e Zubin Potokut, pas konstatimit të shkeljeve ligjore gjatë inspektimeve të fundit.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), gjatë këtyre kontrolleve është mbyllur një biznes që ushtronte veprimtarinë pa qenë i regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), ndërsa janë konfiskuar edhe produkte pa deklaracion të prejardhjes.

Po ashtu, ndaj një subjekti tjetër ekonomik është shqiptuar gjobë në vlerë prej 6 mijë eurosh, pasi është konstatuar se u kishte shërbyer pije alkoolike personave të mitur.Nga IQMT kanë bërë të ditur se këto masa janë pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e një tregu të sigurt e të drejtë.

Inspektorati u ka bërë thirrje të gjitha bizneseve që të regjistrojnë veprimtarinë e tyre në ARBK, të tregtojnë vetëm produkte me dokumentacion përkatës dhe të respektojnë dispozitat ligjore.

IQMT ka paralajmëruar se inspektimet do të vazhdojnë në të gjithë territorin e Kosovës, me qëllim identifikimin dhe trajtimin e shkeljeve që cenojnë të drejtat e konsumatorëve dhe sigurinë e tregut.