Banorët e Bukoshit kërkojnë rregullimin e ndriçimit publik në rrugën “Vija e Frontit” dhe “Liman Rexhepi”
Banorët e fshatit Bukosh të Suharekës kanë ngritur shqetësimin për mosfunksionimin e ndriçimit publik në rrugën “Vija e Frontit” dhe rrugën “Liman Rexhepi”, duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të ndërmarrin masa për rregullimin e tij.
Sipas një banori, në këto rrugë kalojnë edhe nxënësit e shkollave të mesme, të cilët kthehen nga mësimi i pasdites, ndërsa mungesa e ndriçimit ua vështirëson lëvizjen gjatë orëve të mbrëmjes.
Ai thekson se problemi është i njohur prej vitesh dhe se ndriçimi publik ishte vendosur më herët, por tashmë ka nevojë për rregullim.
Banori shpreson që, pas publikimit të këtij shqetësimi, institucionet përgjegjëse të reagojnë dhe të intervenojnë për përmirësimin e ndriçimit, në mënyrë që të rritet siguria për nxënësit dhe të gjithë banorët e fshatit.
Gjithashtu, ai kërkon që të trajtohet edhe problemi me një pusetë në këtë zonë, me shpresën se publikimi i shqetësimeve do të ndikojë në zgjidhjen e tyre.
