Abdixhiku: Po të ishte dëgjuar vizioni ynë, Kosova sot do të kishte President

06.10.2026

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar për zhvillimet e fundit politike, duke theksuar se partia që ai drejton vazhdon të mbajë qëndrimet e saj në frymën e vizionit të Ibrahim Rugovës.

Abdixhiku ka thënë se LDK-ja synon një Kosovë të lirë e të pavarur, në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa ka theksuar se UÇK-ja dhe historia e luftës janë pjesë e përbashkët e vendit.

Ai ka kritikuar, siç ka thënë, përpjekjet për t’i etiketuar apo kërcënuar ata që mbajnë qëndrime të ndryshme politike.

“LDK-ja e di kujt i jep llogari; Kosovës dhe njerëzve të saj”, ka shkruar Abdixhiku.

Kreu i LDK-së ka deklaruar se, sipas tij, Kosova sot është pa institucione, pa mundësi të mjaftueshme për mbrojtjen e së vërtetës së luftës dhe pa kohezion minimal politik.

Ai ka pretenduar se po të ishte dëgjuar vizioni i LDK-së, vendi do të kishte sot president dhe stabilitet balancues, si dhe angazhim institucional për mbrojtjen ndërkombëtare të së vërtetës së luftës.

Në fund, Abdixhiku ka ngritur pyetjen: “Çështja është, kujt i shërbyen, në të vërtetë?”