Ramadani dorëzon kallëzim penal ndaj Haxhiut
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka bërë të ditur se ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ushtrueses së detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, duke e akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Ramadani pretendon se Haxhiu, më 2 shtator, ka propozuar Vlora Spancën për një mandat të dytë si Auditore e Përgjithshme dhe e ka dërguar propozimin në Kuvend pa zhvilluar konkurs dhe pa intervistim nga komisioni i pavarur.
Sipas tij, një veprim i tillë është në kundërshtim me Ligjin për Zyrën Kombëtare të Auditimit.
“Si U.D. Presidente ka marrë vendim t’i falë dikujt pozitë publike pa konkurs, duke shkelur plotësisht ligjin”, ka shkruar Ramadani.
Ai ka kërkuar nga Prokuroria Speciale që të veprojë pa vonesë dhe ka shprehur pritjen që ndaj Haxhiut të ngritet aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
“Askush nuk është mbi ligjin”, ka deklaruar Ramadani.
