Kuqi kritikon ekzekutivin e Muharremajt për veturat zyrtare: “Asnjë masë, asnjë ndëshkim”
Asambleistja e Aleancës në Komunën e Suharekës, Besa Kuqi, ka ngritur sërish shqetësimin lidhur me përdorimin e veturave zyrtare jashtë orarit të punës dhe për qëllime private.
Kuqi ka thënë se këtë çështje e kishte ngritur edhe në mbledhjen e kaluar të Kuvendit Komunal, duke kërkuar që ekzekutivi i udhëhequr nga kryetari Bali Muharremaj të ndërmarrë masa ndaj personave që, sipas saj, keqpërdorin veturat zyrtare dhe pasurinë publike.
Ajo ka kritikuar mungesën e masave disiplinore dhe llogaridhënies, duke deklaruar se deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim.
“Edhe sot e kësaj dite, nuk ka asnjë ndëshkim, asnjë masë disiplinore dhe asnjë llogaridhënie ndaj atyre që paratë dhe karburantin e paguar nga taksat tona e shfrytëzojnë për komoditetin e tyre personal”, ka shkruar Kuqi.
Kuqi, e cila është pjesë e së njëjtës parti me kryetarin Muharremaj, ka paralajmëruar se nëse ekzekutivi komunal nuk ndërmerr masa, ajo do t’i publikojë fotografitë dhe dëshmitë që, sipas saj, dokumentojnë rastet e keqpërdorimit.
“Unë do t’i publikoj të gjitha fotot dhe dëshmitë e keqpërdoruesve me emra, mbiemra dhe lokacione ku janë zënë mat duke shpërdoruar pasurinë publike”, ka deklaruar ajo.
Asambleistja ka bërë thirrje për më shumë transparencë dhe llogaridhënie në përdorimin e pasurisë publike, duke theksuar se mjetet publike duhet të përdoren në funksion të qytetarëve.
