Haxhiu: T’ia kujtojmë njëra-tjetrës rëndësinë e kontrolleve

27.09.2026

U.D. Presidentja e Kosovës, Albulena Haxhiu, i është bashkuar sot aktivitetit “Race for the Cure Kosova”, duke përcjellë një mesazh për ndërgjegjësimin dhe rëndësinë e kontrolleve të hershme për kancerin e gjirit.

Përmes një shkrimi në Facebook, Haxhiu tha se mesazhi i kësaj gare duhet të arrijë edhe te gratë që nuk ishin pjesë e aktivitetit, veçanërisht te ato që kanë shtyrë kontrollet për shkak të kujdesit ndaj të tjerëve, frikës nga rezultatet apo vështirësive në qasjen ndaj kujdesit shëndetësor.

Ajo theksoi se në rastin e kancerit të gjirit, koha ka rëndësi të veçantë dhe se duhet të krijohen kushte që gratë të mos përballen me pengesa të panevojshme në marrjen e kujdesit shëndetësor.

“Prandaj sot u bëra thirrje grave ta bëjnë kontrollin me kohë dhe t’ia kujtojnë këtë edhe vajzës, nënës, motrës, shoqes e koleges”, shkroi Haxhiu.

Ajo e përmbylli mesazhin me thirrjen që në këtë garë rëndësi nuk ka kush arrin e para, por që asnjë grua të mos arrijë vonë.