Aksident tragjik në Suharekë: Vdes 49-vjeçari, gruaja dhe dy fëmijët lëndohen
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të dielën pasdite në rrugën transite Shirokë–Reshtan në Suharekë, ku një person ka humbur jetën, ndërsa gruaja dhe dy fëmijët e tij kanë mbetur të lënduar.
Foto: Ilustrim
Sipas raportimeve, aksidenti ka ndodhur rreth orës 16:20, përballë restorantit “Lami Garden”, ku një veturë Renault Twingo ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një livadh, rreth 38 metra më poshtë.
Dyshohet se shoferi, P.K., 49-vjeçar, ka humbur kontrollin mbi veturën si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë me kushtet dhe konfiguracionin e rrugës.
Në veturë ndodheshin edhe P.K. dhe dy fëmijë të lindur në vitet 2018 dhe 2022. Të gjithë janë dërguar me autoambulancë për trajtim në Spitalin e Prizrenit.
Gjendja e shoferit ka qenë më e rëndë. Pavarësisht trajtimit mjekësor, rreth orës 20:40 është konfirmuar vdekja e tij si pasojë e lëndimeve të marra në aksident.
Gruaja dhe dy fëmijët, sipas mjekut kujdestar, kanë pësuar lëndime të lehta dhe kanë vazhduar trajtimin mjekësor.
Me urdhër të prokurores kujdestare, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për autopsi.
Rasti është duke u hetuar nga organet kompetente.
