Ramadani: Policia e Kosovës ka nevojë për avancim dhe modernizim
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, me rastin e 27-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, ka kërkuar një program të veçantë nacional qeverisës për avancimin dhe modernizimin e këtij institucioni.
Ramadani ka thënë se Policia e Kosovës është sot një institucion kredibil dhe profesional, por ka theksuar se nevojiten investime të mëtejshme në kapacitete, pajisje dhe mirëqenien e pjesëtarëve të saj.
Ai ka propozuar, ndër të tjera, modernizimin e njësive të specializuara, veçanërisht në sigurinë kibernetike, dyfishimin e pagave dhe rritjen e buxhetit për Policinë, fuqizimin e njësive intervenuese, avancimin e ekspertizës dhe hetimeve financiare, pensionimin e beneficuar, sigurimin shëndetësor dhe pakot sociale, si dhe standardizimin e pajisjeve.
“Urime police e policë. Në këtë 27-vjetor të themelimit, kujtojmë me respekt të gjithë policët që ranë në detyrë”, ka shkruar Ramadani.
Në fund, ai ka rikujtuar edhe moton e Policisë së Kosovës nga viti 2007: “Njerëzit sikur ju, në shërbimin tuaj.”
