41 të burgosur certifikohen në profesione të ndryshme në Qendrën Korrektuese në Dubravë
Në Qendrën Korrektuese në Dubravë është zhvilluar ceremonia e certifikimit të 41 të burgosurve, të cilët kanë përfunduar me sukses trajnimet profesionale në kuadër të programeve për aftësim, rehabilitim dhe riintegrim.
Në ceremoni morën pjesë zëvendësministri i Drejtësisë, Genc Nimoni, drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, si dhe udhëheqësi i Qendrës për Aftësim Profesional në Pejë, Edison Berdynaj.
Të burgosurit janë aftësuar në pesë profile profesionale: metalpunues, zdrukthëtar, hidroinstalues, ndërtimtar dhe asistent administrativ.
Qëllimi i këtyre trajnimeve është zhvillimi i shkathtësive profesionale të personave të privuar nga liria dhe krijimi i mundësive më të mira për punësim dhe integrim në shoqëri pas përfundimit të vuajtjes së dënimit.
Gjatë ceremonisë u vlerësua angazhimi i pjesëmarrësve në përvetësimin e njohurive dhe shkathtësive të reja, ndërsa u theksua edhe rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional në zbatimin e programeve të aftësimit profesional.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë mbështetjen e programeve të tilla, me synim përgatitjen e personave të privuar nga liria për një riintegrim sa më të suksesshëm në shoqëri.
