MASh shpall konkursin për 100 bursa për nxënësit e Arsimit Profesional, aplikimi i hapur deri më 1 tetor
Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) ka shpallur konkursin për ndarjen e 100 bursave për nxënësit e klasës së dhjetë në Institucionet e Arsimit dhe Aftësimit Profesional (IAAP) për vitin shkollor 2026/2027.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) ka shpallur konkursin për ndarjen e 100 bursave për nxënësit e klasës së dhjetë në Institucionet e Arsimit dhe Aftësimit Profesional (IAAP) për vitin shkollor 2026/2027.
Bursat synojnë të nxisin regjistrimin në drejtimet deficitare dhe të rrisin pjesëmarrjen e vajzave në drejtimet teknike. Secila bursë ka vlerën 50 euro në muaj, përkatësisht 500 euro për vitin shkollor (duke përjashtuar muajt korrik dhe gusht), ndërsa mbështetja financiare do të vazhdojë për tri vite, nëse plotësohen kriteret e përcaktuara.
Nga 100 bursat e planifikuara, 70 janë të dedikuara për nxënësit që regjistrohen në drejtimet deficitare, ndërsa 30 janë të rezervuara për vajzat që zgjedhin drejtimet teknike, me qëllim përgatitjen e kuadrove në profesionet ku tregu i punës ka nevojë më të madhe.
Afati për aplikim është nga 9 korriku deri më 1 tetor 2026. Aplikimet dhe dokumentacioni dorëzohen në IAAP-të përkatëse, ndërsa drejtorët e këtyre institucioneve do t’i përcjellin aplikacionet në MASh deri më 5 tetor 2026.
MASh ka bërë të ditur se kriteret dhe dokumentacioni i nevojshëm për aplikim janë publikuar në faqen zyrtare të ministrisë.
