KQZ përfundon procesin e numërimit të votave të rregullta
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përmbyllur numërimin e 100 për qind të votave të rregullta për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duke procesuar gjithsej 2,498 vendvotime në nivel vendi.
Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë partia e parë me 42.91 për qind të votave, apo 299,152 vota. Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me 21.12 për qind, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës e treta me 17.58 për qind të votave.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar 7.16 për qind, ndërsa Lista Serbe 6.18 për qind të votave. Pjesëmarrja e qytetarëve në këto zgjedhje ka arritur në 37.05 për qind.
KQZ ka bërë të ditur se këto rezultate përfshijnë vetëm votat e rregullta brenda Kosovës, ndërsa procesi zgjedhor do të përmbyllet pas numërimit të votave me kusht dhe atyre nga diaspora.
