“Hidroregjioni Jugor” vazhdon aksionin e shkyçjeve për mospagesë – 12 raste në Suharekë

11.12.2025

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” Sh.A – Prizren ka njoftuar se ekipet e Inspektoratit po vazhdojnë me intensitet të shtuar aksionin e shkyçjeve nga rrjeti i ujësjellësit për konsumatorët që kanë borxhe të pashlyera, pavarësisht njoftimeve të mëhershme për pagesë.

Sipas njoftimit, vetëm gjatë ditës së sotme janë realizuar 52 shkyçje për mospagesë, prej të cilave 40 në Prizren dhe 12 në njësinë e Suharekës.

Kompania ka theksuar se aksioni do të vijojë në të gjitha njësitë operuese dhe se nuk do të ketë më falje apo tolerim për konsumatorët që nuk i përmbushin obligimet financiare.

“Hidroregjioni Jugor” rikujton qytetarët se kryerja e pagesave është obligim ligjor dhe i domosdoshëm për funksionimin normal të sistemit të ujësjellësit, ndërsa paralajmëron se shkyçjet do të vazhdojnë deri në shlyerjen e borxheve nga të gjithë debitorët.

Në fund të njoftimit, kompania falënderon konsumatorët që i respektojnë rregullat dhe u bën thirrje të tjerëve të shmangin masat duke kryer pagesat në kohë.