Lahuta zyrtarisht pjesë e listës së UNESCO-s
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur sot se lahuta, një nga instrumentet më të vjetër dhe më përfaqësuese të kulturës shqiptare, është shpallur zyrtarisht pasuri e trashëgimisë kulturore jomateriale në listën e UNESCO-s, në kategorinë e mbrojtjes urgjente.
Foto: Ilustrim
Lajmin Rama e ka ndarë përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shprehu krenarinë për këtë arritje të rëndësishme për kulturën shqiptare.
“LAHUTA, PJESË E UNESCO-s
Lahuta është shpallur zyrtarisht pasuri e trashëgimisë kulturore jomateriale në listën e UNESCO-s, për mbrojtje urgjente ”, shkroi kryeministri Rama.
Shpallja e lahutës pjesë e UNESCO-s shënon një hap të madh në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, veçanërisht duke pasur parasysh rolin historik dhe artistik që ky instrument ka luajtur në ruajtjen e epikës dhe traditave ndër shekuj.
Ky vendim pritet të ndikojë në rritjen e interesimit për lahutën, ruajtjen e teknikave tradicionale të prodhimit dhe interpretimit të saj, si dhe promovimin e kulturës shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Një tjetër moment i rëndësishëm për identitetin kulturor mbarëshqiptar.