Haxhiu: Lista Serbe s’duhej të certifikohej nga PZAP-i, kryetar formal e ka kryeterroristin Radoiçiq

06.12.2025

Disa ditë pasi Ambasada e SHBA-së reagoi ndaj Vetëvendosjes për moscertifikimin e Listës Serbe nga KQZ-ja, ish-ministrja e Drejtësisë dhe deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, ka dalë me deklarata të forta kundër këtij subjekti politik, duke e quajtur atë “instrument të interesave të Beogradit” dhe një strukturë që “formalisht udhëhiqet nga kryeterroristi Milan Radoiçiq”.

Këto komente Haxhiu i bëri pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili të premten vendosi të certifikojë Listën Serbe për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, ndonëse KQZ fillimisht e kishte refuzuar këtë certifikim. Sipas saj, institucionet si PZAP dhe Gjykata Supreme nuk duhet të jenë nën asnjë presion kur marrin vendime të tilla.

“PZAP ka marrë një vendim tjetër dhe kam përshtypjen se po ka presione në këtë institucion dhe jo vetëm, por edhe në Gjykatën Supreme. Ju e dini se këto dy institucione nuk do të duhej të kishin presion nga askush”, deklaron Haxhiu, duke shtuar se Lista Serbe nuk përfaqëson interesat e qytetarëve serbë të Kosovës, por të presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Ajo thekson se Vetëvendosja nuk është kundër partive serbe që e njohin Kosovën, por kundër një subjekti “që e ka pasur nënkryetar dhe kryetar formal një person përgjegjës për sulmin terrorist në Banjskë”.

“Partnerët tanë ndërkombëtarë e dinë shumë mirë se cilat janë arsyet. Ata kanë dokumente të mjaftueshme që ndërlidhen me Listën Serbe. Në asnjë vend demokratik nuk do të ishte normale që një subjekt i tillë të garonte në zgjedhje”, shton ajo.

Reagim ndaj Sami Lushtakut: “Është bërë milioner vetëm duke qenë politikan”

Në intervistën për KosovaPress, Haxhiu iu përgjigj edhe deklaratave të kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, të cilat i cilësoi fyese dhe denigruese ndaj grave të Vetëvendosjes. Ajo tha se gjuha e Lushtakut është e papranueshme dhe se heshtja e grave të PDK-së ndaj tij tregon problem serioz brenda vet subjektit.

“Është e ditur që zoti Lushtaku vetëm duke qenë politikan është bërë milioner. Ne s’kemi asgjë kundër pasurimit të ligjshëm, por kur politikani bëhet milioner vetëm duke qenë politikan, ky është problem serioz”, tha ajo, duke shtuar se gratë e VV-së “nuk i kanë frikë” sjelljet e Lushtakut.

Rasti Kurteshi dhe kërkesa e AGK-së

E pyetur nëse Vetëvendosja do ta tërhiqte anëtarin e saj në KQZ, Sami Kurteshin, pas komenteve fyese ndaj gazetarëve dhe AGK-së, Haxhiu tha se nuk ka arsye për ta shkarkuar atë.

“Kurteshi është ftuar nga prokuroria dhe ka dhënë dëshminë e tij. Presim që prokuroria të thotë fjalën e saj. Nuk ka asnjë arsye që ta tërheqim nga KQZ-ja”, deklaroi ajo.

Debati për votimin e diasporës

Haxhiu foli edhe për vendimin e PZAP për të shfuqizuar vendimin e KQZ-së që votimi në diasporë të zhvillohej edhe jashtë përfaqësive diplomatike. Ajo e cilësoi këtë një interpretim tepër të ngushtë dhe shpreson që Gjykata Supreme ta rrëzojë.

“Ligji për zgjedhje nuk e ndalon që mërgata të votojë edhe jashtë përfaqësive diplomatike. Është e rëndësishme që Kosova të angazhohet për pjesëmarrjen më të madhe të qytetarëve”, u shpreh Haxhiu.

Një debat politik që pritet të thellohet

Vendimet e KQZ-së dhe PZAP-it, reagimet ndërkombëtare dhe deklaratat e qeverisë dhe opozitës kanë hapur një tjetër cikël tensionesh politike në prag të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit. Certifikimi i Listës Serbe pritet të mbetet temë qendrore e ditëve në vijim, ndërsa partitë politike intensifikojnë mesazhet për elektoratin dhe opinionin publik./kp/