Haxhiu për Këshillin Prokurorial të Kosovës: Prej kohësh është kapur nga grupe interesi

02.12.2025

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar sot lidhur me zhvillimet e fundit në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), ku ditë më parë u shkarkua nga pozita e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Haxhiu thekson se KPK prej kohësh është e kapur nga grupe interesi që nuk kanë prioritet përmirësimin e sistemit prokurorial, por mbrojtjen e interesave të tyre dhe të individëve jashtë Këshillit.

“Sot të gjithë po e shohin qartë atë për të cilën kemi paralajmëruar ndër vite. KPK prej kohësh është e kapur nga grupe interesi që nuk e kanë prioritet përmirësimin e sistemit prokurorial, por mbrojtjen e interesave të tyre dhe të individëve jashtë Këshillit. Ky është një realitet i hidhur, por i pamohueshëm”, shkruan Haxhiu.

Ajo thekson se reforma në KPK pritet të jetësohet në janar 2026, dhe sipas saj, ky është një hap i domosdoshëm për rikthimin e integritetit në institucion. Haxhiu kujton se që nga viti 2021, kur kanë nisur reformat në drejtësi, synimi ka qenë:

  • Heqja e kontrollit të një rrethi të ngushtë njerëzish.
  • Rritja e transparencës dhe llogaridhënies.
  • Eliminimi i ndikimit të grupeve të interesit që e kanë përdorur institucionin për interesa personale e grupore.
  • Forcimi i meritokracisë mbi lidhjet apo klanet.
  • Krijimi i një institucioni që funksionon në shërbim të publikut, jo të individëve të privilegjuar.

Haxhiu shton se shumicës së anëtarëve aktualë të KPK-së reforma u ka penguar që nga dita e parë, dhe sipas saj, përpjekjet e tyre për ta bllokuar nuk do të kenë sukses.

Ndërkohë, Besim Kelmendi ka paditur KPK-në, duke kërkuar anulimin e vendimit për shkarkim nga pozita e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, duke shtuar tensionin rreth zhvillimeve në institucion.

Ky reagim i Haxhiut dhe veprimet ligjore të Kelmendit vijnë në një moment kur drejtësia në Kosovë po përballet me sfida të mëdha për transparencë, integritet dhe pavarësi institucionale.