Itali, arrestohet 46-vjeçari nga Kosova – kishte urdhërarrest ndërkombëtar nga autoritetet kosovare

07.11.2025

Një 46-vjeçar me origjinë nga Kosova është arrestuar nga Policia e Shtetit në Napoli të Italisë të martën në mbrëmje, pas një operacioni të koordinuar ndërkombëtar. Ai ishte i kërkuar nga autoritetet kosovare për disa vepra të rënda penale.

Sipas Policisë italiane, kundër tij ishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar më 20 tetor nga institucionet e drejtësisë në Kosovë, për veprat penale: tentativë vrasjeje, sulm, kërcënime dhe posedim të paligjshëm të armëve. Për shkak të këtyre akuzave, ndaj tij ishte lëshuar një Njoftim i Kuq (Red Notice) nga Interpol, çka aktivizoi strukturat ndërkombëtare të bashkëpunimit policor.

Autoritetet italiane u njoftuan nga sistemi i mbikëqyrjes se personi i kërkuar ishte regjistruar duke hyrë në një hotel në rrugën Via Silvio Spaventa në zonën Vicaria-Mercato të Napolit. Pas konfirmimit të identitetit të tij nga Qendra Operacionale Ndërkombëtare e SCIP, policia ndërhyri dhe e arrestoi pa rezistencë.

Sipas komunikatës së Policisë së Napolit:

“Operacioni konfirmon efektivitetin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe integrimin e sistemit të raportimit me aktivitetet e mbikëqyrjes në terren, të cilat mundësuan kapjen e shpejtë dhe të suksesshme të personit të kërkuar.”

I arrestuari pritet të përballet me procedurat për ekstradim drejt Kosovës, ku do të ndiqet penalisht për akuzat që rëndojnë mbi të.

Autoritetet italiane dhe ato kosovare pritet të vazhdojnë bashkëpunimin për çështje të tjera të ngjashme në kuadër të luftimit të krimit ndërkufitar.