Kurti dërgon emrin e Konjufcës te presidentja: Nuk e kemi obligim për të siguruar 61 nënshkrime

04.11.2025

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asnjë obligim ligjor për të siguruar 61 nënshkrime të deputetëve para se t’ia propozojë presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, emrin e Glauk Konjufcës si mandatar për formimin e Qeverisë së re.

Kurti dërgon emrin e Konjufcës te presidentja: Nuk e kemi obligim për të siguruar 61 nënshkrime Foto: Ilustrim

Në një konferencë për media, Kurti sqaroi se sipas interpretimeve të Kushtetutës dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, kërkesa për nënshkrime nuk ekziston si kusht për propozimin e kandidatit për kryeministër.

“Nuk është kurrfarë obligimi që të sigurohen 61 nënshkrime. Tentimi i dytë, për bindjen tonë të fuqishme, përveç se është e drejtë, është edhe obligim, në mënyrë që të bëhet çmos për të evituar zgjedhjet e reja,” tha Kurti.

Ai njoftoi se Lëvizja Vetëvendosje tashmë ka dërguar në Presidencë propozimin zyrtar me emrin e Glauk Konjufcës si mandatar për formimin e Qeverisë.

“Është dëm i madh nëse detyrohemi të kemi zgjedhje edhe në dhjetor edhe në prill. Prandaj, edhe sot ne e dërguam te presidentja emrin e mandatarit të dytë, Glauk Konjufca, që të bëjmë edhe një tentim për formimin e Qeverisë në mënyrë që të mos ketë dy palë zgjedhje për pak muaj,” theksoi Kurti.

Ky zhvillim vjen pas përpjekjeve të Lëvizjes Vetëvendosje për të siguruar vazhdimësinë institucionale dhe për të shmangur krizën politike që do të sillte mbajtja e dy palë zgjedhjeve të njëpasnjëshme. Ndërkohë, presidentja Vjosa Osmani tashmë ka mandatuar Konjufcën për të tentuar formimin e Qeverisë së re, pas vlerësimit se ekzistojnë gjasa reale për krijimin e shumicës parlamentare.