Karvani shëndetësor në Suharekë sjell shërbime falas dhe vetëdijesim për jetesë të shëndetshme
Karvani Shëndetësor ka mbërritur sot në qendër të Suharekës, duke sjellë një mesazh të fuqishëm për rëndësinë e kujdesit ndaj shëndetit dhe parandalimit të sëmundjeve.
Aktiviteti është mbajtur në sheshin e qytetit në kuadër të projektit “Kujdesi shëndetësor i qasshëm dhe cilësor”, i cili zbatohet nga organizata Syri i Vizionit me mbështetje nga AQH.
Ky karvan ka për qëllim vetëdijesimin e qytetarëve për mënyrën e jetesës së shëndetshme dhe ofrimin e shërbimeve bazike mjekësore falas, duke përfshirë:
- Këshillime për ushqyerje të shëndetshme
- Informacione dhe ndërgjegjësim mbi pasojat e duhanpirjes
- Matje falas të tensionit të gjakut dhe nivelit të sheqerit
Pjesëmarrja e qytetarëve ka qenë e dukshme, duke treguar interesin dhe nevojën e komunitetit për aktivitete të tilla preventive dhe edukative.
Organizatorët kanë shprehur mirënjohje për mbështetjen dhe bashkëpunimin institucional, duke theksuar se synimi kryesor është që qytetarët të kenë qasje më të lehtë në informata shëndetësore dhe kontrolle bazike, të cilat mund të parandalojnë sëmundje serioze.
Në fund, qytetarët janë inkurajuar që të kujdesen më shumë për stilin e jetesës, të ushqehen shëndetshëm, të shmangin duhanin dhe të qëndrojnë aktiv fizikisht, sepse – shëndeti është pasuria më e madhe e njeriut.