Zbulohet një armë zjarri në bagazhin e një pasagjereje në Aeroportin e Prishtinës

14.10.2025

Më 14 tetor 2025, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, zyrtarët e kontrollit të sigurisë kanë zbuluar një armë zjarri në bagazhin e një pasagjereje me shtetësi kosovare.

Sipas Policisë së Kosovës, arma është detektuar gjatë kontrollit të rregullt me pajisjen X-Ray, në momentin kur pasagjerja po udhëtonte në drejtim të daljes nga vendi. Pas sinjalizimit, njësitet policore kanë reaguar menjëherë, duke dalë në vendngjarje për të verifikuar rastin.

Gjatë hapjes së bagazhit, në praninë e vetë pasagjeres, është gjetur arma e zjarrit, e cila dyshohet se mbahej pa leje.

Me vendim të prokurorit kujdestar, ndaj të dyshuarës është iniciuar rast për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”.

Policia ka bërë të ditur se hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar për të sqaruar të gjitha rrethanat.