Kosova barazon pa gola me Slloveninë në “Fadil Vokrri”
Përfaqësuesja e Kosovës nuk ka arritur të marrë më shumë se një pikë në përballjen ndaj Sllovenisë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” përfundoi pa gola, me rezultatin 0–0, duke lënë gjithçka të hapur në Grupin B.
Sipas të dhënave nga ndeshja, Kosova pati 39 për qind të posedimit të topit, pesë gjuajtje gjithsej dhe asnjë drejt portës, ndërsa Sllovenia regjistroi 61 për qind të posedimit, njëmbëdhjetë gjuajtje dhe dy në kuadrat. Në aspektin e pasimeve, Kosova kishte 81 për qind saktësi kundrejt 87 për qind të sllovenëve.
Pavarësisht mungesës së efikasitetit në sulm, “Dardanët” arritën të ruajnë portën e paprekur dhe të marrin një pikë të vlefshme, duke qëndruar në vendin e dytë të Grupit B me katër pikë pas tre ndeshjeve.
Tabela aktuale e Grupit B pas xhiros së tretë:
- Zvicra – 9 pikë (9:0 gola)
- Kosova – 4 pikë (2:4 gola)
- Sllovenia – 2 pikë (2:5 gola)
- Suedia – 1 pikë (2:6 gola)
Ky rezultat e mban Kosovën në pozitë të favorshme për të vazhduar garën për një vend në Botërorin 2026, megjithëse tregon qartë nevojën për përmirësim në fazën ofensive.