Gjykata Themelore – Dega Suharekë vlerësohet për efikasitet dhe rezultate të prekshme

26.09.2025

Kryetarja e Gjykatës Themelore, Shpresa Emra, së bashku me Administratorin Ilir Cakaj, ka zhvilluar një vizitë pune në Degën e Gjykatës në Suharekë.

Në takim me gjyqtarët dhe udhëheqësit e administratës, që u zhvillua të martën, u shqyrtua zbatimi i rregulloreve dhe udhëzimeve administrative nga fillimi i vitit 2024 e deri në shtator të këtij viti, duke pasur në fokus ofrimin e shërbimeve efikase dhe cilësore për qytetarët.

Të dhënat tregojnë për një ulje të dukshme të ngarkesës së lëndëve. Në Divizionin Civil, në shtator të vitit 2025, janë rreth 1,000 raste më pak aktive krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Nga janari deri në shtator të këtij viti, Gjykata në Suharekë ka shënuar një shkallë pastrimi të lëndëve prej 114%. Kjo nënkupton se janë përfunduar 320 lëndë më shumë sesa janë pranuar gjatë kësaj periudhe, duke reflektuar përkushtim në përshpejtimin e procedurave dhe përmirësimin e efikasitetit.

Në këtë degë gjykojnë gjashtë gjyqtarë, përfshirë gjyqtarin mbikëqyrës Selajdin Gallapeni, ndërsa stafi administrativ përbëhet nga 29 zyrtarë – përfshirë ndihmës administratorin, bashkëpunëtorët profesionalë dhe personelin mbështetës.