Nxënësit e shkollës “7 Marsi” vizitojnë QKMF “Rexhep Kuçi”, u informuan mbi shërbimet shëndetësore
Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Rexhep Kuçi” në Suharekë ka pritur sot nxënësit e shkollës fillore “7 Marsi”, të cilët zhvilluan një vizitë informuese dhe edukative.
Gjatë kësaj vizite, nxënësit patën mundësinë të njihen nga afër me punën që zhvillohet në shërbimet kryesore të QKMF-së, përfshirë Mjekësinë Familjare, Stomatologjinë, Urgjencën dhe dhomën për edukim prindëror.
Ata morën këshilla të vlefshme për shëndetin, bënë pyetje interesante dhe shprehën interesim të madh për profesionin e mjekut dhe infermierit. Sipas QKMF-së, disa prej nxënësve kanë shprehur dëshirën që në të ardhmen të ndjekin këtë rrugë profesionale.
Nga kjo vizitë, QKMF vlerësoi angazhimin dhe interesimin e të rinjve, duke theksuar rëndësinë e edukimit shëndetësor që në moshë të hershme.