Sekuestrimi i mbi gjysmë toni marihuanë në Suharekë, presioni po vjen nga Shqipëria!

18.09.2025

Një sasi e jashtëzakonshme prej mbi gjysmë toni marihuanë, me një vlerë të tregut që arrin rreth 750 mijë euro, u sekuestrua së fundmi në Suharekë.

Safet Blakaj, drejtor i Qendrës “Labyrinth”, ka hedhur dritë mbi këtë pyetje në emisionin FIVE. Ai thekson se tendenca e zhvendosjes së kultivimit të kanabisit drejt Kosovës është një fenomen i ri, i cili po vërehet gjithnjë e më shumë në raportet ndërkombëtare.

Sipas Blakajt, kjo dukuri është një pasojë direkte e presionit të madh që po ushtrohet nga policia në Shqipëri, ku grupet kriminale po goditen fuqishëm. Si rezultat, aktiviteti i kultivimit të kanabisit po zhvendoset në vendet fqinje.

“Presioni po vjen nga Shqipëria, kjo do të thotë që atje po sulmohen grupet kriminale thellësisht në kuptimin e kultivimit të kanabisit dhe kjo ka filluar të bartet në vendet tjera,” shpjegoi Blakaj. Ai shtoi se incidente të ngjashme janë regjistruar edhe në rajonin tonë, si në Mal të Zi dhe në jug të Serbisë, ku janë zënë sasi të mëdha të lëndëve narkotike.

Blakaj thekson se ndërsa më herët, droga vinte në Kosovë kryesisht nga Shqipëria e gatshme për treg, kërkesa e madhe po nxit kultivimin e saj edhe brenda vendit. Kjo kërkesë dhe ofertë e madhe po e shndërron Kosovën nga një rrugë tranziti në një pikë prodhuese, një ndryshim i theksuar që po dokumentohet edhe nga raportet ndërkombëtare gjatë tre-katër viteve të fundit.

Megjithatë, eksperti vlerëson pozitivisht përpjekjet e vazhdueshme të organeve të sigurisë për të parandaluar këtë fenomen, duke i goditur grupet kriminale që merren me kultivimin dhe trafikimin e drogës. Përpjekjet e tyre janë të rëndësishme për të shmangur shndërrimin e plotë të Kosovës në një vend prodhues dhe përpunues të lëndëve narkotike.