EuroIng – shembull bujarie, ndan donacion prej 5,000€ për fëmijët me autizëm në Suharekë
Një gjest i mrekullueshëm solidariteti ka ndodhur në Suharekë, ku kompania “Euroing”, me pronar z. Mefail Gashi, ka dhuruar një donacion prej 5,000€ për Shoqatën “Autizmi”.
Ky kontribut i vlefshëm vjen si një mbështetje e fuqishme për fëmijët me autizëm, duke ndihmuar në zhvillimin e terapive stimuluese që janë jetike për zhvillimin e tyre.
Ky donacion demonstron një ndërgjegjësim të lartë social dhe një angazhim të sinqertë nga ana e z. Mefail Gashi dhe kompanisë “Euroing” ndaj komunitetit. Për shoqatën “Autizmi” Suharekë, ky është një lehtësim i madh, pasi fondet do të përdoren për të ofruar kushte dhe terapi cilësore që meritojnë këta fëmijë.
Shoqata ka shprehur mirënjohjen e saj të thellë, duke e cilësuar këtë donacion si një shembull për t’u ndjekur. Me këtë rast, ata i bëjnë thirrje të gjithë individëve dhe bizneseve të tjera që të ndihmojnë kauza të tilla humane, duke kontribuar në një të ardhme më të ndritur për fëmijët në nevojë.
“Me zemër plot mirënjohje dhe respekt, shprehim falënderimet tona më të sinqerta përz. Mefail Gashi, i cili me zemërgjerësinë dhe humanizmin e tij ka dhuruar një donacion në vlerë prej 5,000€ për shoqatën tonë.
Ky gjest bujar është një ndihmë e çmuar për zhvillimin e terapive stimuluese që u nevojiten fëmijëve tanë për një të ardhme më të mirë.
Me këtë rast, u bëjmë thirrje të gjithë individëve, bizneseve dhe njerëzve të vullnetit të mirë që të ndjekin shembullin e këtij gjesti fisnik.
Shoqata jonë vazhdon të ketë nevojë për mbështetje dhe donacione, në mënyrë që t’u ofrojmë fëmijëve terapitë stimuluese dhe kushtet që ata meritojnë” thuhet në njoftimin e Shoqatës së Autizmit në Suharekë.