Edon Zhegrova me pasaportë shqiptare, i hapet rruga drejt Juventusit?
Edon Zhegrova, një nga talentet më të spikatura të futbollit kosovar, ka marrë një hap të rëndësishëm në karrierën e tij.
Sulmuesi i Lilles dhe i Përfaqësueses së Kosovës, është pajisur zyrtarisht me pasaportë shqiptare, pas dekretit të lëshuar nga presidenti Bajram Begaj më 22 gusht. Ky zhvillim ka marrë vëmendje të madhe, sidomos në kontekstin e thashethemeve për një transferim të mundshëm te gjigandi italian, Juventusi.
Përveç vlerës simbolike, marrja e shtetësisë shqiptare ka një rëndësi të veçantë praktike për lojtarët që synojnë të luajnë në ligat e mëdha evropiane, veçanërisht në Seria A. Në Itali, lojtarët që vijnë nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian apo nga shtete që kanë marrëveshje specifike me Italinë, nuk numërohen si lojtarë “ekstrakomunitarë”. Kjo është një avantazh i madh, pasi klubet italiane mund të regjistrojnë vetëm një numër të kufizuar lojtarësh jashtë BE-së.
Në këtë rast, fakti që Shqipëria nuk konsiderohet “ekstrakomunitare” për Italinë për shkak të marrëveshjeve dypalëshe, i jep Edon Zhegrovës një avantazh të madh në tregun e transferimeve. Një lëvizje e mundshme te Juventusi do të lehtësohej ndjeshëm, pasi kjo lëvizje nuk do të ndikonte në numrin e lojtarëve jo-BE që klubi mund të transferojë.
Transferimi i Zhegrovës te “Zonja e Vjetër” është diskutuar gjerësisht në mediat sportive, dhe ky zhvillim i fundit vetëm sa shton benzinë në zjarr.
