Rasti i Popoviq, Haxhiu i përgjigjet Serbisë: Kosova është vend demokratik ku sundon drejtësia dhe dinjiteti njerëzor

09.08.2025

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar sot ndaj deklaratave të Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë, e cila pretendoi se zyrtari i Qeverisë serbe, Igor Popoviq, ka pranuar fajësinë në Kosovë “nën presion dhe jo me vullnet të lirë”. Haxhiu tha se këto pretendime janë të pavërteta dhe se Serbia po vazhdon propagandën […]

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar sot ndaj deklaratave të Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë, e cila pretendoi se zyrtari i Qeverisë serbe, Igor Popoviq, ka pranuar fajësinë në Kosovë “nën presion dhe jo me vullnet të lirë”.

Haxhiu tha se këto pretendime janë të pavërteta dhe se Serbia po vazhdon propagandën e saj edhe pas marrëveshjeve të arritura me institucionet e Kosovës për pranim të fajësisë. Sipas saj, në videon e procesit gjyqësor shihet qartë se jo vetëm Popoviqi, por edhe avokati i tij, kanë konfirmuar se pranimi i fajësisë dhe marrëveshja me Prokurorinë janë bërë me vullnet të plotë.

“Serbia duhet ta kuptojë se Republika e Kosovës është vend demokratik, ku sundon drejtësia dhe dinjiteti njerëzor janë të garantuara e ku pushtetet janë qartësisht të ndara,” shkroi Haxhiu, duke akuzuar shtetin serb se keqpërdor vizitat zyrtare në Kosovë për të nxitur urrejtje dhe përçarje.

Igor Popoviqi, ndihmësdrejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, u shpall fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, për veprën penale të nxitjes së përçarjes dhe urrejtjes etnike. Gjykata i shqiptoi një dënim prej gjashtë muajsh burgim, i zëvendësuar me gjobë prej 3 mijë eurosh, si dhe dënim plotësues për dëbim nga Kosova për dy vjet.

Marrëveshja për pranim të fajësisë mes Popoviqit dhe Prokurorisë Speciale u aprovua nga gjykata. Ai ishte arrestuar më 19 korrik në pikën kufitare të Bërnjakut, pasi një ditë më herët në Rahovec kishte mbajtur një fjalim me përmbajtje nxitëse, duke përhapur urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike në Kosovë.