Prishtinë, arrestohet një person i dënuar për keqpërdorim të fëmijëve në pornografi
Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e një personi të kërkuar nga drejtësia për vepra penale të natyrës së rëndë.
Operacioni u realizua nga Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit, gjatë mbrëmjes së kaluar.
Sipas njoftimit zyrtar, është arrestuar personi me inicialet B.C., mashkull, 20 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës. Ai ishte i dënuar me 2 vite e 6 muaj burgim për veprën penale “Keqpërdorim i fëmijëve në pornografi”. Pas lokalizimit dhe arrestimit, i dyshuari është dërguar në institucionin korrektues për të vuajtur dënimin.
Policia e Kryeqytetit ka ritheksuar përkushtimin për të vazhduar me intensitet të lartë veprimet për identifikimin dhe kapjen e personave të kërkuar, në kuadër të përpjekjeve për forcimin e sundimit të ligjit dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.