Raporti i IPK-së, shkalla e ndëshkimit në raport me shkeljet nga matjet, rajoni i Prizrenit më strikt në kryerje të detyrës

30.07.2025

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka publikuar raportin e inspektimit me titull “Përdorimi i teknologjisë për matjen e shpejtësisë së lëvizjes së mjeteve në trafik”, si rezultat i një inspektimi të jashtëzakonshëm të realizuar me kërkesë të Kryeshefit Ekzekutiv të IPK-së.

Qëllimi i këtij inspektimi ishte vlerësimi i mënyrës së përdorimit të pajisjeve digjitale për matjen e shpejtësisë, si dhe adresimi i informatave që IPK kishte pranuar në lidhje me mosshqiptimin e gjobave ndaj kundërvajtësve në raste të caktuara. Inspektimi ka pasur për objektiv të identifikojë teknologjinë në përdorim, të vlerësojë efektivitetin dhe përputhshmërinë e të dhënave të matjeve me shqiptime gjobash.

Në raport janë identifikuar disa mospërputhje në të dhënat e gjobave në krahasim me matjet e regjistruara nga pajisjet, përfshirë: në 55 raste shpejtësia e shënuar në gjobë ishte më e ulët se ajo e matur me radar; në 23 raste kishte dallim mes kufizimit të shënuar në radar dhe atij në gjobë; në 3 raste ndryshonte lloji i shkeljes; ndërsa në 3 raste të tjera ishte aplikuar paragraf ligjor jo përkatës.

Sipas raportit, këto gjetje janë me interes për strukturat drejtuese dhe operative të Divizionit të Trafikut Rrugor, përfshirë njësitë rajonale dhe ato përgjegjëse për kontrollin e autostradave.

IPK ka dhënë shtatë rekomandime, përfshirë: hartimin e një udhëzuesi për përdorimin e pajisjeve për matjen e shpejtësisë; trajnime shtesë për personelin policor; kontrolle më të rregullta mbi saktësinë e të dhënave në pajisje; shqyrtim të praktikave në shqiptime të gjobave; përdorim më efektiv të automjeteve me pajisje inteligjente; monitorim të shkarkimit dhe ruajtjes së materialeve të regjistruara; dhe aplikim të praktikës së printimit të kundërvajtjeve në vendin e ngjarjes.

Raporti synon të kontribuojë në përmirësimin e praktikave dhe rritjen e efikasitetit në zbatimin e ligjit në fushën e sigurisë rrugore.

Inspektimi i mostrave ka pasqyruar se ato që lidhen me njësitë e trafikut në Prizren dhe Gjakovë kanë rezultuar me numër më të madh të gjobave, duke i bërë këto njësi të paraqiten më strikte në kryerje të detyrës.