Drita eliminohet nga Liga e Kampionëve, do të vazhdojë garat në Ligën e Evropës

29.07.2025

Kampioni i Kosovës, Drita, ka përfunduar aventurën në fazën kualifikuese të Ligës së Kampionëve, pasi u eliminua nga Copenhagen me rezultat të përgjithshëm 3-0.

Skuadra nga Gjilani nuk arriti të përmbysë humbjen 2-0 nga ndeshja e parë dhe u mposht sërish edhe në takimin e kthimit me rezultat 1-0.

Drita e nisi më mirë ndeshjen dhe që në minutën e 4-të krijoi një rast premtues me Besnik Krasniqin, i cili harkoi në zonë, por mbrojtja daneze reagoi në kohë dhe largoi rrezikun.

Në minutën e 14-të, Copenhagen mendoi se kishte kaluar në epërsi me golin e Andreas Cornelius, por ai u anulua për shkak të pozicionit jashtë loje.

Gjilanasit ranë në vështirësi të madhe kur Liridon Balaj u ndëshkua me karton të kuq për një ndërhyrje të ashpër, duke e lënë Dritën me një lojtar më pak në fushë. Ky moment ndikoi dukshëm në rrjedhën e lojës, me Copenhagen që mori kontrollin e plotë të ndeshjes.

Dominimi i danezëve u konkretizua në fundin e pjesës së parë, kur Cornelius realizoi në minutën e 43-të, duke çuar rezultatin në 1-0 dhe epërsinë totale në 3-0 në dy ndeshjet.

Në pjesën e dytë, Drita u përqendrua në mbrojtje dhe pavarësisht inferioritetit numerik, ia doli të mos pësonte më shumë gola, duke treguar qëndrueshmëri dhe disiplinë në prapavijë. Copenhagen, ndonëse vazhdoi me dominimin, nuk arriti të shtojë epërsinë.

Me këtë eliminim, Drita do të vazhdojë garat evropiane në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës, ku do të tentojë kalimin në fazën e grupeve. Në rast se eliminohet edhe nga kjo garë, klubi do të ketë një mundësi të fundit në raundin e katërt të Ligës së Konferencës.

Pavarësisht rezultatit, Drita ka treguar momente të forta në fushë dhe do të kërkojë të rikthehet me një paraqitje më të fuqishme në sfidat e radhës në Evropë.