Kryetari Muharremaj bën prezantimin – Besa Kuqi rikandidon për Kuvendin Komunal në Suharekë
Drejtoresha aktuale e Shëndetësisë në Komunën e Suharekës, Besa Kuqi do të jetë kandidate për asamble komunale në zgjedhjet e 12 tetorit.
Me një përvojë të dëshmuar në dy mandate si anëtare e Kuvendit Komunal dhe me një histori suksesi si Drejtoreshë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, znj. Besa Kuqi do të jetë sërish kandidate për Asamblenë Komunale të Suharekës në zgjedhjet e 12 tetorit.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari aktual i Komunës së Suharekës dhe kandidati për një mandat të ri, Bali Muharremaj, i cili ka theksuar se kandidimi i znj. Kuqi është një garanci për përfaqësim të dinjitetshëm dhe profesional në Kuvend.
“Përkushtimi në punë, mbështetja e qytetarëve dhe integriteti profesional që ka treguar ndër vite, janë garanci se znj. Besa po ecën drejt një fitoreje të re në këto zgjedhje lokale”, ka deklaruar Muharremaj.
Znj. Kuqi, e formuar si psikologe klinike dhe aktualisht në përfundim të specializimit të saj profesional, ka ndërtuar një profil të fuqishëm përmes angazhimit në sektorin publik dhe privat, duke ruajtur vazhdimisht afërsinë me qytetarët e komunës.
Puna e saj si drejtoreshë ka qenë e orientuar drejt përmirësimit të shërbimeve shëndetësore dhe sociale, duke u vlerësuar lart nga komuniteti lokal. Mbështetja që gëzon nga banorët e Suharekës e rendit atë ndër figurat më të respektuara dhe me ndikim në skenën politike komunale.