Dënohen me nga 15 vjet burg dy persona për krime lufte në Kosovë
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur sot aktgjykim dënues në mungesë ndaj të akuzuarve Ivica Rajkoviq dhe Dragan Deniq, për vepra penale që lidhen me ngjarje të ndodhura gjatë luftës në Kosovë, më 1999.
Sipas vendimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Rrahman Beqiri, të akuzuarit janë dënuar me nga 15 vjet burgim për veprën penale “Krime kundër njerëzimit”, sipas nenit 143 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Aktgjykimi pason aktakuzën e ngritur më 27 nëntor 2023 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ku Rajkoviq dhe Deniq ngarkoheshin me dyshimet se, si pjesëtarë të forcave policore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, kishin marrë pjesë në një sulm të gjerë dhe sistematik ndaj popullatës civile shqiptare në komunën e Prishtinës, pas fillimit të bombardimeve të NATO-s më 24 mars 1999.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare, plaçkitjen, si dhe dhunimin fizik dhe psikologjik, përfshirë edhe një rast të dhunimit seksual ndaj një gruaje shqiptare. Veprimet janë cilësuar si të kryera në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të njësive të armatosura.
Gjykata ka bërë të ditur se dënimi do të ekzekutohet brenda 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Palët e dëmtuara janë udhëzuar të kërkojnë kompensim për dëmet në kontest civil.
Po ashtu, të akuzuarit janë obliguar të paguajnë nga 200 euro për paushallin gjyqësor dhe nga 100 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit, brenda të njëjtës afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Rasti është trajtuar në mungesë, pasi të akuzuarit nuk ndodhen në territorin e Kosovës dhe nuk janë vënë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore të vendit.