Zgjedhjet e 12 tetorit, LVV – Suharekë nis zgjedhjet e brendshme për kandidatët e Kuvendit Komunal
Lëvizja VETËVENDOSJE! qendra në Suharekë ka njoftuar zyrtarisht fillimin e procesit të zgjedhjeve të brendshme për të përzgjedhur kandidatët që do të garojnë për anëtarë të Kuvendit Komunal në zgjedhjet e 12 tetorit 2025.
Në një njoftim të lëshuar nga Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Suharekë, theksohet se ky proces do të sigurojë transparencë dhe përputhje me rregullat e brendshme të partisë. Të gjithë aktivistët e interesuar për të kandiduar janë ftuar të paraqesin deklaratën e kandidaturës.
Komisioni Zgjedhor Ad Hoc i Qendrës ka bërë të ditur se afati për paraqitjen e formularëve të kandidaturave është nga data 24 korrik deri më 08 gusht 2025, ora 17:00.
Për të zyrtarizuar kandidaturën, aktivistët duhet të dorëzojnë formularin e kandidaturës të shoqëruar me:
- Një kopje të letërnjoftimit.
- Një kopje të kartës së anëtarësisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Pas dorëzimit të këtij dokumentacioni, Komisioni Zgjedhor Ad Hoc i Qendrës (KZAQ) do të ndjekë të gjitha procedurat e tjera të parashikuara me Statutin dhe Rregulloren e zgjedhjeve të brendshme të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ky proces ka për qëllim të sigurojë një përzgjedhje demokratike dhe gjithëpërfshirëse të kandidatëve më të përshtatshëm për të përfaqësuar Lëvizjen VETËVENDOSJE! në Kuvendin Komunal të Suharekës.