Ardian Kotorri i bashkohet LDK-së, Dr.Ardian Shala: LDK i ka të hapura dyert për të gjithë

23.07.2025

Në një zhvillim të rëndësishëm për skenën politike lokale, Ardian Kotorri, kryetar i deritanishëm i nëndegës së AAK-së në Samadraxhë dhe njëherazi Drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural në Komunën e Suharekës, ka aderuar sot në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Lajmi u bë i ditur nga kandidati i LDK-së për kryetar të Komunës së Suharekës, Dr. Ardian Shala, i cili e ka mirëpritur me entuziazëm këtë rikthim, duke e cilësuar si një dëshmi të qartë se vizioni dhe vlerat e LDK-së po gjejnë gjithnjë e më shumë përkrahje në mesin e qytetarëve, intelektualëve dhe figurave të njohura publike në komunën e Suharekës.

“Mirë se vjen në LDK, Ardian Kotorri! Rikthimi yt është dëshmi e besimit në projektin tonë politik, dhe një sinjal i fuqishëm i përkrahjes që po rritet dita-ditës,” ka shkruar Dr. Shala.

Ky aderim vjen pas një vale rikthimesh dhe aderimesh të tjera të bujshme nga radhët e AAK-së në LDK. Ndër emrat e përmendur janë edhe asamblistët Xhevxhet Gashi dhe Sanije Kuçi-Rexhepaj, si dhe dy kryetarë nëndegësh nga Studençani dhe Reshtani. Në këtë listë bën pjesë edhe ish-ministri dhe figura emblematike e Suharekës, Blerim Kuçi, ka shkruar ndër tjera Shala.

Dr. Shla ka theksuar se dyert janë të hapura për të gjithë ata që kanë vullnet dhe përkushtim për të punuar për të mirën e vendit dhe qytetarëve.