Qehaja: Rruga Prizren–Tetovë do të bëhet, tuneli do të jetë më i madh se ai i Kalimashit
Ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, ka folur për rëndësinë e lidhjes infrastrukturore mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, duke veçuar projektin për rrugën Tetovë–Prizren, i cili është aktualisht në fazën e projektimit të tunelit që do të lidhë dy qytetet shqiptare përmes një traseje të re.
Në një intervistë për emisionin “PodGo” në Telegrafi Maqedoni, Qehaja theksoi se ndërtimi i kësaj rruge është një interes strategjik për të dy shtetet, dhe se tuneli që parashihet të ndërtohet në këtë linjë do të jetë rreth 6 kilometra i gjatë, më i madh edhe se ai i Kalimashit, duke shkurtuar kohën e udhëtimit në vetëm 50 minuta mes Tetovës dhe Prizrenit.
“Jemi në fazën e projektimit, nuk kemi dilemë që do të realizohet, por synojmë që ky vullnet politik të përkthehet edhe në punë konkrete në terren. Nuk dorëhiqemi në atë që duhet ta lidhim më afër Tetovën me Prizrenin,” deklaroi Qehaja.
Sipas tij, aktualisht ngecja në procesin e projektimit është në Fakultetin e Ndërtimtarisë në Shkup, ku po pritet përfundimi i fazës teknike. Ai kritikoi vonesën, duke thënë se nëse kjo punë do të ishte në duart e Kosovës, do të kishte përparuar më shpejt.
“Po ta kishim ne këtë punë do ta respektonim më shumë. Kemi interes strategjik dhe nuk kemi dilema a do të bëhet, por kur do të bëhet”, tha ai.
Ambasadori Qehaja foli edhe për një tjetër projekt të rëndësishëm infrastrukturor – rrugën Shkup–Bllacë, për të cilën tha se është më e arritshme për realizim dhe se përparimi në këtë drejtim mund të jetë më i shpejtë krahasuar me rrugën Tetovë–Prizren.