Ekstradohet nga Austria një person i kërkuar për “vjedhje të rëndë”, dërgohet për vuajtje dënimi në Kosovë

18.07.2025

Njësiti për Menaxhimin e Urdhëresave i stacionit policor në Podujevë ka realizuar sot pranimin e një personi të kërkuar me dy urdhëresa aktive të gjykatës, i cili akuzohej për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, i kërkuari është ekstraduar nga Austria në Kosovë, në orët e para të mëngjesit të sotëm, rreth orës 01:00, përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. Procesi është kryer në bashkëpunim me autoritetet austriake dhe ato vendore.

Pas mbërritjes në Kosovë dhe procedurave të pranimit nga ana e policisë, i dënuari është dërguar menjëherë për vuajtje të dënimit, i cili është i përcaktuar në kohëzgjatje prej 1 vit e 6 muaj.

Policia e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë angazhimin e saj për zbatimin e ligjit dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave që ndodhen në kërkim, duke bashkëpunuar ngushtë me autoritetet vendore dhe ndërkombëtare.