Dënohet me 15 vite burg Sllavisha Filiq për krime lufte ndaj Dr. Hafir Shalës

17.07.2025

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me 15 vite burg Sllavisha Filiqin, në një gjykim të mbajtur në mungesë, për krime lufte kundër popullatës civile në rastin e zhdukjes së mjekut shqiptar, dr. Hafir Shala, gjatë luftës në Kosovë.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani, vendimi është marrë mbi bazën e dëshmive të dëshmitarëve okularë Shaban Neziri dhe Hetem Sinani, si dhe dëshmive të tjera mbështetëse, përfshirë edhe dëshminë e Fadil Syleviqit, i cili ka deklaruar se pikërisht Filiq kishte marrë dhe torturuar doktor Shalën në prill të vitit 1998.

Më 10 prill 1998, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), Sllavisha Filiq – në atë kohë pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë – së bashku me dy zyrtarë tjerë të paidentifikuar deri më sot, kishin ndaluar një veturë në Drenas, ku ndodheshin Hetem Sinani, Shaban Haziraj dhe dr. Hafir Shala.

Të tre u legjitimuan nga persona të veshur me rroba civile, dhe më pas dr. Shala u ndalua, për t’u dërguar në objektin e Sigurimit Shtetëror në Prishtinë. Atje, sipas provave, ai ishte rrahur dhe torturuar rëndë, dhe që nga ajo ditë, fati i tij mbetet i panjohur.

Për këto veprime, Filiq është shpallur fajtor për krim lufte kundër popullatës civile, bazuar në nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, i cili ishte në fuqi në kohën e kryerjes së veprës.

PSRK-ja ka deklaruar se provat e paraqitura tregojnë pjesëmarrjen aktive të Filiqit në ndalimin arbitrar, keqtrajtimin dhe zhdukjen e doktor Hafir Shalës.

Gentrit Shala, djali i dr. Hafir Shalës, në një prononcim pas shpalljes së aktvendimit, u shpreh se ky vendim nuk përfaqëson fundin e drejtësisë:

“Është fillimi i një procesi shumë më të madh. Filiq nuk ka qenë i vetëm. Kanë qenë edhe dy persona tjerë. Për arrestimin e babit ka pasur urdhërarrest, baza e të cilit është në zyrat e Beogradit,” deklaroi ai.

Ai kërkoi që hetimet të vazhdojnë derisa të identifikohen dhe të sillen para drejtësisë edhe pjesëtarët e tjerë të përfshirë në këtë akt të rëndë.