Sveçla: Kërcënimi me bombë ndaj Kuvendit erdhi nga numri i shtetasit serb Lazar Zhivkoviq

06.07.2025

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas kërcënimit me bombë që u adresua më 5 korrik 2025 ndaj Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka deklaruar se kërcënimi është bërë nga një numër telefoni i regjistruar në Serbi, që i përket kompanisë telefonike MTS.

Sipas ministrit, numri është i lidhur me shtetasin serb Lazar Zhivkoviq, ndërsa në disa profile të ndërlidhura me këtë numër është zbuluar edhe fotografia e kriminelit të luftës Ratko Mladiq.

“Shfrytëzuesi i numrit ka qenë ose është shtetasi serb Lazar Zhivkoviq. Në disa profile të lidhura me këtë numër është gjetur fotografia e kriminelit të luftës Ratko Mladić. Institucionet e Kosovës janë duke trajtuar rastin me prioritet të lartë dhe do të kërkojnë mbështetje ndërkombëtare për arrestimin dhe vënien para përgjegjësisë të personave që qëndrojnë pas kërcënimit, sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka shkruar Sveçla.

Ai ka theksuar se ky është një sulm hibrid ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, me origjinë të konfirmuar në Serbi, dhe se është trajtuar me prioritet të lartë nga institucionet relevante të sigurisë.

Sveçla gjithashtu ka paralajmëruar se sulmuesit dhe kërcënuesit që strehohen në Serbi, pavarësisht mbështetjes që mund të kenë nga shteti serb, nuk do të mund t’i shmangen drejtësisë.

Institucionet e Kosovës pritet të kërkojnë mbështetje ndërkombëtare për zbardhjen e plotë të rastit dhe ndëshkimin e personave përgjegjës, në një përpjekje të qartë për të mbrojtur rendin kushtetues dhe sigurinë e institucioneve shtetërore.