Dogana sekuestron telefona të kontrabanduar me vlerë mbi 64,000 euro

02.07.2025

Dogana e Kosovës ka sekuestruar sot një sasi të konsiderueshme telefonash të kontrabanduar në një subjekt afarist në Prishtinë, pas një aksioni të detajuar që pasoi një raportim qytetar përmes linjave të hapura për luftimin e kontrabandës dhe veprave penale.

Pas verifikimeve fillestare, njësitet doganore kanë ndërmarrë një kontroll të plotë të lokalit dhe hapësirave përcjellëse të biznesit që merrej me shitjen e pajisjeve mobile. Gjatë këtij kontrolli, në një aneks të fshehur (bodrum), është zbuluar një kasafortë ku ndodheshin pajisjet e mëposhtme:

  • 49 copë iPhone 16 Pro Max
  • 1 copë iPhone 16 Pro
  • 12 copë iPhone 15 Pro
  • 9 copë Samsung A36 5G
  • 6 copë Samsung A56
  • 2 copë Samsung A26

Të gjitha këto pajisje ishin pa dokumentacion përcjellës që dëshmon prejardhjen e tyre, dhe dyshohet se janë futur në mënyrë të paligjshme në territorin e Republikës së Kosovës. Vlera e përgjithshme e mallrave në treg arrin rreth 64,340 euro.

Dogana ka ndërmarrë veprimet përkatëse ligjore ndaj subjektit, përfshirë sekuestrimin e mallrave dhe inicimin e procedurave hetimore që mund të rezultojnë në kundërvajtje apo vepër penale, varësisht nga zhvillimet e mëtejshme të hetimeve.

Institucioni ka falënderuar qytetarin raportues për bashkëpunimin dhe ka inkurajuar të gjithë qytetarët që të vazhdojnë të denoncojnë rastet e dyshimta. “Bashkë mund të luftojmë kontrabandën dhe krimin e organizuar”, thuhet në deklaratën e Doganës së Kosovës.