Automjet i xhandarmërisë franceze merr emrin ‘Kosova’, parakalon në Paris më 14 korrik

02.07.2025

Në një gjest të ngarkuar me simbolikë dhe respekt ndërkombëtar, një nga automjetet më të reja të blinduara të xhandarmërisë franceze është pagëzuar me emrin “Kosova”, në një ceremoni zyrtare të mbajtur më 1 korrik në Versailles-Satory, Francë.

Kjo ndodhi vetëm pak ditë para paradës së madhe ushtarake që mbahet më 14 korrik në Paris, me rastin e Ditës Kombëtare të Francës. Në këtë ngjarje prestigjioze, dymbëdhjetë automjete të reja “Centaure” (VIPG), pjesë e Grupit të Blinduar të Xhandarmërisë Mobile (GBGM), u prezantuan si përforcim i kapaciteteve të sigurisë në operacione të ndjeshme.

Automjeti “Kosova” do të parakalojë në Champs-Élysées përkrah mjeteve të tjera që mbajnë emra me peshë historike dhe simbolike, si “Afganistan”, “Stonne”, “Trimëri” dhe “Disiplinë”. Emrat janë zgjedhur për të nderuar beteja të rëndësishme, misione ndërkombëtare dhe virtyte ushtarake të ushtrisë franceze.

Gjenerali Christophe Daniel, komandant i GBGM-së, e cilësoi ceremoninë si një moment të veçantë për institucionin dhe tha se kjo është një mënyrë për të konkretizuar vlerat dhe kontributet e xhandarmërisë franceze në misionet ndërkombëtare, përfshirë edhe Kosovën. Ai përkujtoi se parada e fundit motorizuar e këtij grupi kishte ndodhur më 14 korrik 2000, pas kthimit nga një operacion pikërisht në Kosovë, duke theksuar lidhjen e vazhdueshme mes dy vendeve.

Ministria e Brendshme e Francës bëri të ditur se automjetet “Centaure” zëvendësojnë mjetet e vjetra VBRG, të përdorura që nga viti 1974, dhe se secili automjet është projektuar për të transportuar deri në 10 persona dhe për të përballuar një gamë të gjerë operacionesh, nga ndërhyrjet në protesta të dhunshme deri te menaxhimi i krizave.

Për më tepër, secilit automjet iu caktua një sponsor simbolik – që nga xhandarët më të rinj e deri te ata me përvojë në misione ndërkombëtare, veçanërisht në Kosovë dhe Afganistan.

Emërtimi “Kosova” konsiderohet një nder i veçantë ndaj rolit që vendi ynë ka luajtur në angazhimet ndërkombëtare të Francës, si dhe një shenjë e marrëdhënieve të mira mes dy popujve.