Digjet një kamion transportues në autostradën afër Suharekës, përfshihen nga flakët edhe livadhet përreth
25.06.2025
Një incident i rëndë ka ndodhur para pak minutash në autostradën “Ibrahim Rugova”, afër daljes në Suharekë, ku një mjet i bartjes së automjeteve është përfshirë nga flakët.
Sipas informacioneve të para, zjarri që ka përfshirë mjetin ka shkaktuar përhapje të flakëve edhe në livadhet përreth zonës, duke rrezikuar përhapjen e mëtejme të zjarrit.
Në vendin e ngjarjes kanë arritur ekipet e zjarrëfikësve, të cilët janë duke punuar për shuarjen e zjarrit dhe parandalimin e dëmeve të mëdha në mjedisin përreth.
Deri në këto momente, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa nuk dihen ende shkaqet e zjarrit. Autoritetet pritet të japin më shumë detaje në orët në vijim.