Policia apel për bashkatdhetarët: Kujdes në trafik, respektoni rregullat

23.06.2025

Me fillimin e sezonit të verës dhe rikthimin e bashkatdhetarëve në Kosovë, Policia e Kosovës ka përcjellë një mesazh mirëseardhjeje dhe thirrje për kujdes në trafik.

Përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook, Policia ka uruar bashkatdhetarët për ardhjen në vendlindje, duke theksuar se krahas mirëpritjes, do të angazhohet për sigurinë dhe mbrojtjen e tyre gjatë qëndrimit në Kosovë.

“Bashkatdhetarë të dashur, mirë se erdhët në vendin tuaj! Për sigurinë tuaj dhe të familjes suaj, respektoni rregullat në trafik! Shpejtësia, rripi i sigurisë, telefoni – gjithçka ka rëndësi. Jemi këtu për t’ju mirëpritur dhe mbrojtur!”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Po ashtu, Policia ka bërë thirrje që qytetarët të njoftohen me risitë e Ligjit të ri për rregullat e trafikut, në mënyrë që të kontribuojnë për rrugë më të sigurta për të gjithë.

Ky apel vjen në një kohë kur fluksi i automjeteve nëpër rrugët e Kosovës rritet ndjeshëm për shkak të pushimeve verore dhe vizitave nga diaspora, duke kërkuar kështu kujdes dhe përgjegjësi të shtuar në komunikacion.