Ndahet nga jeta Ymer Gashi, delegat historik nga Suhareka dhe nënshkrues i Pavarësisë së 2 Korrikut

21.06.2025

Ka ndërruar jetë Ymer Gashi, një nga figurat historike të skenës politike të Kosovës, i njohur për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në rrugën drejt pavarësisë dhe themelimit të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Ymer Gashi ishte delegat i Kuvendit të Kosovës dhe një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së 2 Korrikut 1990, si dhe i Kushtetutës së Kaçanikut, duke hyrë kështu në historinë politike të vendit si një prej zërave të guximshëm të kohës.

Përveç angazhimit të tij në nivel qendror, Gashi ka shërbyer për një periudhë edhe si kryetar i Komunës së Suharekës para viteve ’90, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin lokal dhe konsolidimin e strukturave komunale në kohë të vështira.

Varrimi i Ymer Gashit do të bëhet nesër, më 22 qershor 2025, në orën 17:00 në fshatin Muhlan të Suharekës.

Ndërsa në orën 15:00 të po të njëjtës ditë, nen patronatin e kryetarit aktual të Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, do të mbahet ora komemorative, ku do të përkujtohet jeta dhe vepra e tij në prani të familjarëve, përfaqësuesve institucionalë, bashkëveprimtarëve dhe qytetarëve.

Humbja e Ymer Gashit shënon largimin e një personaliteti që la gjurmë të thella në historinë bashkëkohore të Kosovës.