Presidentja Osmani thellon partneritetin me Japoninë, takohet me kryeparlamentarin Nukaga

14.06.2025

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj zyrtare në Japoni, ka zhvilluar një takim me kryeparlamentarin e këtij shteti, Fukushiro Nukaga.

Takimi mes dy zyrtarëve të lartë u fokusua në fuqizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, duke riafirmuar vullnetin e përbashkët për bashkëpunim në fusha të ndryshme.

Presidentja Osmani, përmes një postimi në Facebook, theksoi rëndësinë e këtij takimi. “Gjatë takimit me Kryetarin e Parlamentit të Japonisë, z. Fukushiro Nukaga, riafirmuam përkushtimin tonë të palëkundur për thellimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Japonisë, në dobi të qytetarëve tanë dhe në shërbim të vlerave të përbashkëta,” shkroi Osmani.

Ajo vlerësoi lart mbështetjen e vazhdueshme që Japonia i ka dhënë Kosovës ndër vite, duke e cilësuar si thelbësore për procesin e shtetndërtimit të vendit. “Synojmë që këtë partneritet ta ngremë në nivele edhe më të larta,” shtoi më tej Presidentja Osmani, duke shprehur aspiratën për një bashkëpunim më intensiv në të ardhmen.