Llapi siguron mbijetesën në elitë pas penalltive ndaj Vushtrrisë
Llapi do të vazhdojë të jetë pjesë e elitës së futbollit kosovar edhe në sezonin e ardhshëm.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Tahir Batatina triumfoi në ndeshjen e barazhit kundër Vushtrrisë, duke fituar me rezultatin 1:4 pas ekzekutimit të penalltive.
Ndeshja e zhvilluar sot ishte mjaft e luftuar dhe emocionuese. Si loja e rregullt, ashtu edhe vazhdimet u mbyllën pa gola, pavarësisht disa rasteve të mira shënimi nga të dyja ekipet.
Qendërmbrojtësi Muhamed ishte heroi i Llapit, duke shënuar penalltinë vendimtare që vulosi fitoren dhe qëndrimin në Superligë. Për Llapin, penalltitë e tjera u shënuan nga Arbnor Ramadani, Arianit Hasani, Benjamin Emini dhe Useini.
Një meritë të veçantë për fitoren e Llapit e pati edhe portieri kroat, Marijan Çoriq. Ai bëri pritjen vendimtare duke ndalur penalltinë e parë të sulmuesit të Vushtrrisë, Urim Statovci, i cili u inkuadrua në lojë si zëvendësues. Ndërkohë, mesfushori i Vushtrrisë, Besar Iseni, gjuajti mbi portë. Të vetmen penallti të realizuar për Vushtrrinë e shënoi Viktor Angelov.
Gjatë kohës së rregullt të ndeshjes, Vushtrria ishte ajo që dominoi pjesën e parë, ndërsa Llapi mori kontrollin në pjesën e dytë, duke goditur madje edhe shtyllën me anë të Arianit Hasanit. Pavarësisht rasteve të krijuara, rrjetat nuk u tundën.
Vushtrria e pati edhe më të vështirë në vazhdime, pasi nga minuta e 100-të luajti me një lojtar më pak në fushë. Futbollisti i krahut dhe kapiteni i tyre, Daut Maxhuni, u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke u përjashtuar nga loja.
Kjo ndeshje barazhi shënoi edhe mbylljen e sezonit 2024-25. Llapi ishte rikthyer në elitën e futbollit kosovar në edicionin 2015-16, ndërsa Vushtrria për herë të fundit ka luajtur në Superligë në vitin 2020. Pas kësaj fitoreje dramatike, Llapi do të vazhdojë aventurën në Superligë, ndërsa Vushtrria do të kërkojë ngjitjen në elitë në sezonin e ardhshëm.