Mungesë e rëndësishme për Mallorcan: Vedat Muriqi jashtë ndeshjes ndaj Valencias

29.03.2025

Mallorca do të udhëtojë drejt “Mestalla”-s pa sulmuesin e tyre kryesor, Vedat Muriqi, për ndeshjen e nesërme kundër Valencias. Lajmin e trishtueshëm e konfirmoi trajneri i skuadrës, Jagoba Arrasate, gjatë konferencës për shtyp.

Arrasate zbuloi se Muriqi po vuan nga probleme fizike dhe shqetësime muskulore, duke e bërë të pamundur pjesëmarrjen e tij në këtë ndeshje të rëndësishme. “Ai e testoi veten sot dhe nuk pati ndjesi të mira,” deklaroi trajneri, duke theksuar se lojtari nuk është në gjendje të japë 100% të vetes.

Përveç Muriqit, Mallorca do të jetë pa shërbimet edhe të sulmuesit kanadez, Cyle Larin, i cili gjithashtu po përballet me probleme fizike. Këto mungesa përbëjnë një goditje të rëndë për Mallorcan, veçanërisht në repartin e sulmit.

Ndeshja mes Valencias dhe Mallorcas do të zhvillohet nesër në stadiumin “Mestalla”, duke filluar nga ora 18:30.