Distria Krasniqi shkëlqen në Grand Prix të Linzit, kualifikohet në finale

07.03.2025

Xhudistja jonë e shquar, Distria Krasniqi, po vazhdon të shkëlqejë në Grand Prix të xhudos që po zhvillohet në Linz të Austrisë, duke siguruar një vend në finalen e madhe të këtij turneu prestigjioz.

Krasniqi ka treguar formë të jashtëzakonshme gjatë gjithë garës, duke eliminuar kundërshtare të forta. Në çerekfinale, ajo mposhti xhudisten serbe, Nikolina Nisavic, me IPPON, duke i mjaftuar vetëm 26 sekonda për të siguruar fitoren. Ky triumf i hapi rrugën për në gjysmëfinale, ku ajo u përball me hungarezen, Reka Pupp, të cilën gjithashtu e mposhti me sukses, duke siguruar kështu kualifikimin në finale.

Përpara se të përballej me Nisavic dhe Pupp, Krasniqi eliminoi edhe amerikanen Jenna Schurr, duke treguar dominimin e saj në këtë turne.

Në finalen e madhe, Distria Krasniqi do të përballet me fituesen e duelit midis Naomi van Krevel dhe Iroha Oi. Ky do të jetë një test i vërtetë për kampionen tonë, e cila synon të marrë titullin e këtij turneu të rëndësishëm.